Udhezues per popullsine lokale, pjesa e Dyte
Hyrje
Shumica e zjarreve në rajonin e Ballkanit ndodhin gjatë motit normal të verës dhe shumë prej tyre vihen nën kontroll nga personeli dhe pajisjet e shërbimit zjarrfikës.
Por, zjarret që shpërthejnë në ditë shumë të nxehta, të thata dhe me erë mund të përhapen me shpejtësi dhe vënia nën kontroll e tyre është e vështirë ose e pamundur. Këto zjarre djegin zona të mëdha me pyje dhe tokë bujqësore, shkatërrojnë shtëpitë dhe bagëtinë, dhe nganjëherë plagosin ose edhe vrasin njerëz. Vitet e fundit keni qenë dëshmitarë se si zjarret kanë dëmtuar ose kanë shkatërruar pyje, fusha bujqësore dhe fshatra afër jush. Për shembull, zjarret në Greqi në vitin 2007 shkaktuan shumë viktima dhe lanë mijëra njerëz të pastrehë dhe të papunë. Përveç kësaj, mijëra hektarë tokë e mbjellë me kultura bujqësore si edhe zona të mëdha me vendbanime janë shkatërruar nga zjarret në rajonin e Ballkanit gjatë viteve të fundit. Gjatë zjarreve, zjarrfikësit janë të fokusuar te ngadalësimi dhe kontrollimi i zjarrit.
Por, përmasat dhe intensiteti i zjarrit mund të jenë të tilla që e bëjnë të pamundur sigurinë tuaj dhe të vendbanimit tuaj. Shpesh zjarret shpërthejnë papritur dhe ju nuk
merrni asnjë paralajmërim nga autoritetet, sepse u duhet të përballen me shumë zjarre njëherësh. Prandaj, është përgjegjësia juaj që të jeni të përgatitur për të mbrojtur familjarët dhe pronën tuaj. Shtëpia e ndërtuar sipas normave ka më shumë shanse që t’i bëjë ballë zjarrit; këto shanse rriten ndjeshëm kur në ndihmë vijnë njerëz me njohuri adekuate në sigurinë nga zjarri, përfshi veten tuaj. Njohja e parimeve bazë për sigurinë nga zjarri ju ndihmojnë të minimizoni riskun që t’ju zërë zjarri në makinë, apo të vuani nga asfiksimi apo nxehtësia ekstreme.
Kjo broshurë ju ndihmon të merrni masa parandaluese që janë të rëndësishme për ju, që të mbijetoni dhe të mbroni pronën tuaj nga zjarri