Udhezime per Autoritetet, Pjesa e pare
Parathënie
Në disa rajone të vendbanimeve rurale të Evropës (fshatra, qytete, ferma të shpërndara), asetet rurale (fusha bujqësore, infrastruktura rurale dhe vlera të tjera të
rrezikuara) po rrezikohen gjithmonë e më shumë nga zjarri. Kjo tendencë përforcohet edhe nga pasojat e ndryshimit të përdorimit të tokës, ndryshimi i klimës
rajonale dhe, sidomos, nga eksodi rural, i cili ka rezultuar në dobësimin e forcës së punës në fshat dhe të aftësisë për t’u vetëmbrojtur, duke rritur rreziqet nga zjarri që u
kanosen tokave të braktisura. Po kështu, industrializimi dhe përqendrimi i popullsisë në disa zona ushtrojnë një presion të lartë mbi burimet natyrore për ndryshimin e përdorimit të tokës, i cili pasqyrohet në rastet e shpeshta të zjarrvënies së qëllimshme dhe të rënies së zjarreve për arsye “të panjohura’ në zonat me bimësi të egër.
Përzierja e vendbanimeve të njeriut me ekosistemet natyrore dhe zjarret që bien në kufirin midis pyjeve të egra dhe vendbanimeve rurale krijojnë në shumë vende
probleme serioze, të cilat janë shndërruar në një çështje madhore debati dhe konfrontimi politik.
Fatkeqësitë e kohëve të fundit nga zjarri në Evropë tregojnë se autoritetet qeveritare dhe shoqëria civile, sidomos komunitetet rurale, nuk janë të përgatitura sa duhet për
të parandaluar dhe për të reduktuar rrezikun nga zjarri, për të mbrojtur komunitetet rurale dhe asetet rurale të rrezikuara, si dhe për të mbrojtur shëndetin e njeriut dhe
sigurinë në përgjithësi nga pasojat e drejtpërdrejta dhe të tërthorta të zjarreve. Këto udhëzime u ofrojnë banorëve (fermerëve, drejtuesve të komuniteteve,
zjarrfikësve vullnetarë dhe komiteteve të mbrojtjes së fshatrave) informacionet më të fundit mbi masat parandaluese të dëmtimeve nga zjarri dhe masat pragmatike për
mbrojtjen e vendbanimeve dhe aseteve të tjera të çmuara rurale nga zjarri. Me këto udhëzime, komunitetet do të jenë në gjendje të vënë në zbatim të gjitha rregulloret e
sigurisë për mbrojtjen e strukturave të komunitetit (pastrimin e bimësisë, ofrimin e burimeve të tjera shtesë të ujit, aplikimin e kodeve të duhura të ndërtesave dhe
përdorimin e materialeve të duhura, etj.) dhe për mbrojtjen e popullatave rurale nga pasojat negative të ndotjes së bimësisë nga zjarri dhe tymi mbi shëndetin dhe
sigurinë e njeriut. Gjithashtu, problemi i zjarreve në terrene të ndryshuara nga aktiviteti i njeriut, si zjarret që prekin struktura të shpërndara dhe ndonjëherë të braktisura, vend-depozitime plehrash dhe toka të kontaminuara, duhet të adresohen për shkak të emetimeve tejet toksike që gjeneron djegia e bimësisë natyrore dhe produkteve teknike/kimike.
Përveç kësaj, duhet të adresohen edhe kërcënimet që vijnë nga zjarret që bien në territore të kontaminuara nga mjetet e pashpërthyera vrasëse, duke qenë se disa
toka pyjore dhe jopyjore në rajonin e Ballkanit janë të kontaminuara nga minat dhe mjete të pashpërthyera vrasëse që kanë mbetur nga konfliktet e kohëve të fundit.