Takim me nxënësit e shkollës greke "Omiros" në Himarë.

Qendra e Informacionit AARHUS me mbështetjen dhe bashkëpunimin e REC Albania, programi SENiOR-A, në kuadër të projektit “Ndërgjegjësimi qytetar për ndarjen e diferencuar dhe riciklimin e mbetjeve urbane”, organizoi aktivitetin e radhës në ambjentet e shkollës greke "Omiros" në Himarë më datë 21.01.2015 ora 09:30. 

Qëllimi i  këtij takimi ishte ndërgjegjësimi i nxënësve dhe të rinjve për ndarjen e diferecuar dhe riciklimin. Gjithashtu, ky sesion ndërgjegjësimi synoi në rritjen e bashkëpunimit me pushtetin lokal, me qëllim që ndarja e diferencuar të bëhet një praktikë e përditshme për qytetarët.

Riciklimi është proçesi i ripërpunimit te mbeturinave i cili i vjen në ndihmë planetit tonë në forma të ndryshme, si kursim i lëndës së parë, mbajtja pastër e mjedisit etj. Grumbullimi i mbetjeve bën të mundur një mjedis më të paster për të gjithë, ndërsa riciklimi i tyre mbron burimet e pasuritë natyrore që të mos shterojnë.

Takimi filloi me prezantimin e nismës, bashkëpuntorëve të projektit dhe donatorëve. Fillimisht mbi këtë çështje moderoi Menaxheri i Qendrës Aarhus z. Robert Murataj i cili foli mbi rëndësinë e riciklimit dhe për ndarjen e diferencuar. Më pas fjalën e mori nënkryetari i Bashkisë Himarë, Irakli Gjicari i cili tha se Bashkia do të jetë gjithmonë në ndihmë të nismave të ndërmarra për mbrojtjen e mjedisit.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i EMMAUS Vlorë, Edison Stefa i cili i dha rëndësi proçesi të riciklimit duke e cilesuar si mbrojtës te burimeve natyrore si psh: pyjet, ujrat dhe metale.

Diskutimi vijoi më tej me nxënësit e shkollës 9-vjecare në Himarë. Njohuritë e nxënësve mbi riciklimin ishin të shumta. Njëra prej nxënësve të kësaj shkolle tha se: “Riciklimi është mjaft i rëndësishëm pasi përmes tij ne mund ta bëjmë botën një vend më të këndshëm për të jetuar, duke u kujdesur për mjedisin rreth vetes sepse nuk është vetëm hapësira jonë individuale, por është edhe hapësira e bashkëjetesës sonë qytetare”.