Të rinjtë - promotor të ndërgjegjësimit për ndarjen e diferencuar
Qendra e Informacionit AARHUS me mbështetjen dhe bashkëpunimin e REC Albania, programi SENiOR-A, në kuadër të projektit “Ndërgjegjësimi qytetar për ndarjen e diferencuar dhe riciklimin e mbetjeve urbane”, organizoi aktivitetin e radhës në ambjentet e shkollës së mesme në Himarë më datë 21.01.2015 ora 09:30.
Qëllimi i këtij takimi ishte ndërgjegjësimi i nxënësve dhe të rinjve për ndarjen e diferecuar dhe riciklimin. Gjithashtu, ky sesion ndërgjegjësimi synoi në rritjen e bashkëpunimit me pushtetin lokal, me qëllim që ndarja e diferencuar të bëhet një praktikë e përditshme për qytetarët.
Riciklimi është proçesi i ripërpunimit te mbeturinave i cili i vjen në ndihmë planetit tonë në forma të ndryshme, si kursim i lëndës së parë, mbajtja pastër e mjedisit etj. Grumbullimi i mbetjeve bën të mundur një mjedis më të pastër për të gjithë, ndërsa riciklimi i tyre mbron burimet e pasuritë natyrore që të mos shterojnë.
Takimi filloi me prezantimin e nismës, bashkëpuntorëve të projektit dhe donatorëve. Fillimisht mbi këtë çështje moderoi Menaxheri i Qendrës Aarhus z. Robert Murataj i cili foli mbi rëndësinë e riciklimit dhe për ndarjen e diferencuar. Më pas fjalën e mori nënkryetari i Bashkisë Himarë, Irakli Gjicari i cili tha se Bashkia do të jetë gjithmonë në ndihmë të nismave të ndërmarra për mbrojtjen e mjedisit.
Në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësues të Organizatës partnere “EMMAUS VLORA” e cila do të bëjë tërheqjen e mbetjeve të riciklueshme dhe dërgimin e tyre në destinacion për ti përdorur këto mbetje të riciklueshme për lëndë të parë për prodhimin e materialeve të reja, duke kursyer kështu lëndë të parë, energji dhe fuqi punëtore.
Diskutimi vijoi me nxënësit e shkollës së Himarës. Njohuritë e nxënësve mbi riciklimin ishin të shumta. Njëra prej nxënësve të kësaj shkolle tha se: “Riciklimi është mjaft i rëndësishëm pasi përmes tij ne mund ta bëjmë botën një vend më të këndshëm për të jetuar, duke u kujdesur për mjedisin rreth vetes sepse nuk është vetëm hapësira jonë individuale, por është edhe hapësira e bashkëjetesës sonë qytetare”.
Pranë shkollave të mesme, 9-vjeçare dhe shkollës greke në Himarë, u vendosën koshat përkatës për ndarjen e ricikluar të qelqit, plastikës dhe metaleve.