Reduktimi i Rrezikutnga Fatkeqësitë Natyrore dhe Industriale dhe roli i bashkëpunimit midis institucioneve publike

Konsultim Publik

Novoselë 17 Maj, 2016

Në kuadër të iniciativës "Reduktimi i Rrezikutnga Fatkeqësitë Natyrore dhe Industriale dhe roli i bashkëpunimit midis institucioneve publike", AIC Vlorë në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë, organizoi një konsultim publik, me mbështetjen e OSBE-së, Prezenca në Shqipëri.

Konsultimi publik u organizua në njësinë administrative të Novoselës me pjesëmarrjen e 25 personave. Përfaqësues nga Bashkia Vlorë, kryetarët e fshatrave të zonës, bizneset lokale, përfaqësues nga Bordi i Kullimit, Hidrovoret,  Brigada e Zjarrfikseve Vlorë, etj,  diskutuan së bashku për shkaqet që kanë sjellë shtimin e përmbytjeve nga lumi Vjosë në zonën e Novoseles në  5 vitet e fundit.

Z. Kanan Shakaj, Administrator i Njësisë Administrative Novoselë, bëri një rezume të përmbytjes së ndodhur vitin e kaluar, në Janar 2015, shkaqet, rrethanat, masat e marra dhe reagimin e komunitetit.  “Bashkëpunimi midis Institucioneve të ndryshme publike gjatë ditëve të Janarit 2015 kur shumica e fshatrave të Novoselës ishtë nën uje, ishte shumë i mirë dhe efikas, për të shmangur çdo fatkeqësi të mundshme apo humbje në bagëti” theksoi z. Shakaj.

Z. Rustem Velaj, kryetar i fshatit Fitore u shpreh: “Para viteve ’90 kanalet kulluese janë hapur të gjtihë me krah, pa mjete si këto që kemi sot, eskavatorë dhe skrepa, e megjithatë kanalet atëherë ishin të pastruara dhe funskiononin, ndërsa sot me gjithë ato mjete që kemi, përsëri kanalet nuk janë në gjendjen e tyre më të mirë dhe në disa raste ato janë zhdukur fare nga harta si pasojë e papërgjegjshmërisë tonë si banorë, që i kemi kthyer ato në toka bujqësore, pa kuptuar se sa dëm i sjellim vetes tonë dhe tokës në rast përmbytje, pasi mosfunksionimi i kanaleve kullues ka bërë që të kemi përmbytje pothuaj çdo vit”

Znj Mimi Vera, përfaqësuese e Bordit të Kullimit në Bashkinë Vlorë theksoi: “Janë disa arsye dhe shkaqe që kanë sjellë shtimin e përmbytjeve në zonën e Novoselës, megjithatë përveç atyre që u përmendën unë do të shtoja edhe përmirësimin e kushteve të Hidrovorit të Akërnisë sin ë pajisje ashtu edhe në burime njerëzore, me qëllim që në kohë përmbytje të jetë në efiçencë të plotë e të mund të funksionojë normalisht për të reduktuar dëmet nga përmbytjet”

Takimi u finalizuar me një vizitë në terren, në fshatin Bishan për të vizituar pritat me beton të realizuara në anë të lumit të Vjosës nga krahu i Vlorës me qëllim mbrojtjen e tokave nga errozioni dhe nga përmbytjet.  Z. Shakaj, administrator i Njësisë Administrative Novoselë, shpjegoi domosdoshmërinë e ndërtimit të këtyre pritave dhe impaktin që ato kanë për mbrojtjen e tokave të zonës së Novoselës.