Promovimi i iniciativës EITI dhe pjesëmarrjes publike në nivel vendor

Qendra e Informacionit Aarhus Vlorë në bashkëpunim me Sekretariatin Shqiptar të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (AlbEITI), pushtetin lokal të Bashkive Patos dhe Bulqizë me mbështetjen financiare të Prezencës së OSBE-së në Shqiperi organizoi dy tryeza të rumbullakëta përkatësisht në Bulqizë (5 Mars 2014) dhe Patos (20 Mars 2014) me aktorë lokal vendim-marrës, përfaqësues nga kompanitë e hidrokarbureve dhe të mineraleve që operojnë në rrethin e Bulqizës dhe Patosit/Fierit, nga  shoqëria civile dhe stafi teknik i Sekretariatit AlbEITI.

Në fjalën e hapjes Z. Aliaj përfaqësues nga shoqëria civile përshëndeti pjesëmarrësit, vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me Sekretariatin AlbEITI, duke e cilësuar shoqërinë civile si një aktor te rëndësishëm që ndihmon  shoqërinë Shqiptare dhe komunitetin në tërësi,  dhe në veçanti transparencën në sektorin e industrisë nxjerrëse.

Drejtuesi i Sekretariatit znj. Dorina Çinari, evidentoi rezultatet e  deritanishme në punën e bërë dhe arritjet  për çështjen EITI në Shqiperi. Gjithashtu pasqyroi përgatitjen e dy raporteve EITI 2011 dhe atë 2012, raporte të cilat pritet të publikohen brënda vitit 2014, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit me kompanitë private, strukturat qeveritare dhe shoqërinë civile.

Përfaqësuesit e OSCE Z. Paolo Fraccaro dhe Z.Elton Qendro, përshëndetën pjesëmarrësit nga shoqeria civile, grupet e interesit, qeverisja vendore dhe Sekretariati AlbEITI.

Z. Paolo Fraccaro në fjalën e tij, cilësoji bashkepunimin mes tyre si nje mjet për transparencën dhe u shpreh i gatshëm për një bashkëpunim edhe më të gjerë në të ardhmen.

Në prezantimin e tij, Z. Albert Brojka, koordinator në Sekretariatin AlbEITI sqaroi shkurtimisht përfitimet që sjell Nisma EITI dhe Standartet e reja EITI të bëra publike nga Sekretariati Internacional EITI në muajin korrik 2013. Gjithashtu Z. Brojka u ndal tek legjislacioni dhe mekanizmat e tij duke sqaruar të pranishmit për detyrimet ligjore përkatëse.

Diskutimi vazhdoi me pyetje të hapura të pjesëmarrësve rreth çështjeve me rëndësi për palët, lidhur me mbarëvajtjen, përfitimet e komunitetit dhe transparencën në industrinë nxjerrëse dhe minerale.