Nxitja e diskutimit me pushtetin lokal për efiçencën e energjisë së rinovueshme

Qendra e Informacionit AARHUS me mbështetjen dhe bashkëpunimin me autoritetin lokal dhe biznesin privat, organizoi takimin e radhës në datën 21.01.2011 pranë ambjenteve të Bashkisë Himarë për të diskutuar mbi rëndësinë dhe përdorimin e energjisë së rinovueshme. 

Qëllimi i  këtij takimi ishte rritja e ndërgjegjësimit publik të aktorëve vendim-marrës në nivel lokal, të shoqërisë civile dhe të grupeve të interesit në fushën e energjisë së rinovueshme e sidomos për panelet diellore.

Pas përshëndetjes së mirëseardhjes nga nënkryetari i bashkisë takimi vijoji në formën e një prezantimi nga z. Robert Murataj, Menaxher i Qendrës së Informacionit Aarhus. Ai foli rreth gjendjes aktuale të përdorimit të energjisë së rinovueshme dhe përdorimin e paneleve diellore, rëndësinë e saj për rritjen e ndërgjegjësimit publik të aktorëve vendim-marrës në nivel lokal.

Më pas, fjalën e mori z. Gianpiero Arturi, përfaqësues biznesi privat  i prodhimit dhe shitjeve të paneleve diellore. Ai foli mbi rolin që luan energjia e rinovueshme dhe panelet diellore dhe prezantoi punën që realizon kompania e tij në këtë fushë. Gjatë takimit nuk munguan diskutimet e zhvilluara mes të pranishmëve të cilët ishin mjaft aktivë me mendimet e tyre në lidhje me çështjen e përdorimit të energjisë së rinovueshme dhe rolin e saj.  

Energjia e rinovueshme është ajo lloj energjie e cila fitohet nga resurse të ndryshme dhe synon të jetë sa me e pastër dhe sa me pak e dëmshme për mjedisin jetësor. Në ditët e sotme është duke u punuar së tepërmi mbi këtë lloj energjie duke e parë si "shpëtim" për të ardhmen e planetit. Në Shqipëri përdorimi i kësaj alternative është ende në hapat e para dhe e përdorur kryesisht nga sektori privat por gjithsesi ajo ka një rol të rëndësishëm dhe i shërben në këtë mënyrë një zhvillimi të qëndrueshëm.