Aktiviteti përmbyllës i projektit "Ndergjegjesimi qytetar per ndarjen e diferencuar dhe riciklimin e mbetjeve urbane"

Në kuadër të projektit "Ndërgjegjësimi qytetar për ndarjen e diferencuar dhe riciklimin e mbetjeve urbane, me mbështetjen dhe bashkëpunimin e REC Albania, programi SENiOR-A, organizoi në Himarë, në datën 26 Shkurt 2015 aktivitetin përmbyllës të projektit. Në këtë tryezë të rrumbullakët morën pjesë aktorë lokal vendim-marrës, grupe interesi, të rinj dhe përfaqësues të shoqerisë civile. Në takim ishte edhe menaxheri i programin SENiOR-A, z. Rezart Kapedani.

Gjatë këtij takimi u diskutua mbi ecurinë dhe arritjet e projektit, realizimin e objektivave dhe pritshmërive, si dhe sfidat qe u hasën gjatë realizimit te tij.

Projekti, i cili u realizua në bashkëpunim me EMMAUS VLORË, mundësoi realizimin e sesioneve ndërgjëgjësuese dhe aksioneve konkrete për ndarjen e diferencuar dhe riciklimin si dhe arriti që të krijojnte një model pozitiv për bashkëpunimin midis pushtetit lokal, bizneseve private, nxënësve, të rinjve dhe aktorëve të shoqërisë civile.

Z. Kapedani u shpreh se riciklimi jo vetëm që ndikon në redukimin e sasisë së mbetjeve dhe si rezultat ul kostot e menaxhimit të mbetjeve urbane, por edhe krijon një model të mirë të bashkëpunimit midis institucioneve publike dhe biznesit privat.

Nga përfaqësues të shoqërisë civile u kërkua që të ketë një bashkëpunim edhe më të madh ndërmjet institucioneve të pushtetit lokal, atyre që meren me realizimin e pastrimit të qytetit dhe vet përfaqësues të bizneseve private. Ndërsa, përfaqësuesi i EMMAUS - Vlora, z. Edison Stefa paraqiti para pjesëmarrësve mënyrën e funksionimit të kësaj ndërrmarrje dhe gadishmërinë për bashkëpunim me të gjitha institucionet në mënyrë që të kemi një rezultat sa më pozitiv në ndërgjegjësimin qytetar dhe ndarjen e diferencuar.

Nisma, falë mbështetjes së REC nëpërmjet Programit SENiOR-A, mundësoi një ndërveprim aktiv midis pushtetit lokal, shoqërisë civile, biznesit civil dhe të rinjve. Në këtë inisiativë u ndërthurën së bashku sesionet edukuese dhe sensibilizuese me të rinj dhe banorë të Bashkisë Himarë, me vendosjen e koshave me ngjyre të ndryshme për ndarjen e diferencuar të metaleve, qelqit dhe plastikës në të gjitha institucionet publike të Bashkisë Himarë, si dhe në të gjitha shkollat 9-vjecare dhe shkollën e mesme Himarë. Gjithashtu, në përfundim të nismës u konkretizua bashkëpunimi i institucioneve publike me biznesin privat, të sanksionuara në marrëveshjen midis Bashkisë Himarë dhe Kompanisë EMMAUS Vlorë, për tërheqjen periodike të mbetjeve të riciklueshme të grumbulluara në Bashkinë Himarë, jo vetëm për gjatë kohës së zbatimit të inisiativës, por gjatë gjithë vitit, duke krijuar në këtë mënyrë, premisa për një qëndrueshmëri të inisiativës edhe pas përfundimit të nismës.