A është situatë alarmante gjendja aktuale në Lagunën e Nartës?

“Edhe mund të reduktohet sasia e barit që gjendet në Lagunë, si pasojë e shirave të vjeshtës dhe ftomës që do të ndikojë në tharjen e tij” - u shpreh një peshkatar që po peshkonte me kallëm, në urën e lagunës së Zvërnecit që lidh bregun me Manastirin.
Studime e projekte të shumta, kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve, ambentalistëve apo enteve publike, në lidhje me Lagunën e Nartës. Një lagunë e cila është shumë tërheqëse dhe mahnitëse, me vlera të mëdha, si për njerëzit ashtu edhe për shpendët e rrallë frekuentues të kësaj lagune dhe qëniet e tjera të gjalla të cilat janë rikthyer në masë sidomos pas zgjatjes së moratoriumit të gjuetisë.
Megjithatë pamjet e fundit, vetëm para dy ditësh, tregojnë se gjendja nuk është aspak premtuese për sa I përket përshtatjes së peshqve apo gjallesave të tjera të Lagunës. Niveli i barit të zhvilluar me shpejtësi, e të përhapur në të gjithë Lagunën është shumë shqetësues. Gjatë vëzhgimeve në terren, një shumëllojshëmëri peshqish notonin në sipërfaqe, si rrallë ndonjëherë, ndoshta për faktin se vetëm aty mund të gjenin pak oksigjen, ndoshta shkalla e eutrofikimit është në nivele te pershpejtuara. Ndoshta gjendja e Lagunës është tek faza e katërt e eutrofikimit: “Në fazën e katërt, zhdukja e oksigjenit në shtresat e fundit, sjellë shfaqjen e fermentimit i cili ka si karakteristike çlirimin e gazit suffhidrik dhe të amoniakut”
Të mos harrojmë se eutrofikimi mund të shkaktojë një katastrofë në dete të mbyllur por gjigande me sipërfaqe disa mijëra km2, siç është rasti i detit Balltik.
Eutrofikimi ndihmohet në masë nga veprimtaria e njeriut, qoftë nga përdorimi i fosfateve, dmth plehra kimike e nitrate te cilat mberrine ne lagune nepermjet derdhjes se ujrave siperfaqesore dhe nentokesore, ashtu edhe nga derdhja në Lagunë e ujrave të zeza, që sjellin si pasojë mbushjen, mbathjen me lymna të Lagunës e si rezultat shumëzimin e organizmave të gjallë që shpejtojnë eutrofikimin.
Si rezultat I vdekjes dhe shpërbërjes së një mase të konsiderueshme algash, në fund të Lagunës nga arsyet e sipërpërmendura, oksigjeni i shtresave të fundit të lagunës harxhohet ose nuk prodhohet me, e për pasojë kemi një përqëndrim oksigjeni vetëm në sipërfaqe të Lagunë. Kjo është arsyeja se përse kishte kaq shumë peshq në sipërfaqe.
Është një situatë që kërkon angazhim dhe impenjim të shumë aktorëve dhe institucioneve për të mos e lënë situatën të percipitojë në një fazë ku rikuperimi do të ishte shumë i vështirë, për të mos thënë I pamundur.
Harmonizimi i masave konkrete emergjente me hartimin e një plani afatgjatë për të ndaluar derdhjen në Lagunë të ujrave të zeza dhe ujrave të tjera, rrëkeve që janë të ndotura me kimikate nga punishtet e ndryshme, nitrate nga përdorimi i plehrave në bujqësi, do të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin e situatës.