Promovimi i të Çështjeve të Konventës së Aarhus me studentët dhe ndërgjegjësimi i tyre për mbrojtjen e mjedisit, një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit thelbësor.

Qendra e Informacionit Aarhus, me mbështetjen dhe bashkëpunimin e REC Albania, Programi SENiOR-A, organizoi më 20.01.2015 ora 11:00 trajnimin me studentët e Universitetit të Vlorës, Departamenti i Biologjisë.

Ky trajnim u organizua në kuadër të promovimit të Çështjeve të Konventës së Aarhus me të rinjtë   në ambjentet e Departamentit të Biologjisë. Qëllimi i tij kryesor i tij ishte të thellonte njohuritë e studentëve për Konventën e Aarhus dhe shtyllave të saj, mënyra si mund të përdoret Konventa në praktikë dhe roli që mund të luajnë studentët në adresimin e çështjeve mjedisore të komunitetit te institucionet lokale dhe qëndrore.

Ky trajnim u zhvillua në dy pjesë. Në pjesën e parë u realizua një paraqitje teorike e konventës së Aarhus-it, çështjeve kryesore të saj, të drejtat, themelimi etj. Gjatë pjesës teorike nuk munguan diskutimet e shpeshta nga studentët. Në pjesën e dytë me studentët u zhvillua një ushtrim duke i ndarë ata në tre grupe. Grupi i parë do të fliste rreth të drejtës së informimit, mënyrat që institucionet informojnë qytetarët. Grupi i dytë do të fliste rreth pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje. Ndërsa, grupi i tretë do të përzgjidhte disa çështje mjedisore dhe si do ti paraqisnin këto çështje mjedisore pranë pushtetit lokal. Secili grup do të zgjidhte nga një lehtësues për të moderuar. Grupit iu dha 7 minuta kohë për të përgatitur materialin. Pjesëtarët e grupeve do të lëviznin nga njëri grup në tjetrin për të alternuar informacionet. Më pas, secili grup zgjodhi disa çështje mjedisore që ata mendonin se ishin të rëndësishme. Ndër to përmendim: kanalizimin e ujrave, ndotja e ambjentit, krijimin e hapësirave të gjelbërta, pastrimin e mbeturinave, menaxhimin e mbetjeve urbane etj. Secili pjesëtar i grupit votoi për çështjen që ai e konsideronte si më të rëndësishme. Pas votimit nga secili student çështja që u konsiderua si më e rëndësishme ishte krijimi i hapësirave të blerta. Së bashku me studentët kjo çështje do të zhvillohet më tej dhe do të hartohet në formën e një kërkëse për t’ia paraqitur aktorëve lokal.

Vlen për tu theksuar që Qendra e Informacionit Aarhus Vlorë, me mbështetjen dhe bashkëpunimin e REC Albania, ka bashkëpunuar me Universitetin e Vlorës që në vitin 2013, fillimisht përmes krijimit të Eko-Klubeve, e cila ka si qëllim inkurajimin e studentëve në çështjet e vendim-marrjes të qeverisë lokale rreth çështjeve të mjedisit. Kjo Qendër në dy vitet e fundit ka organizuar trajnime të ndryshme duke bashkëpunuar edhe me vullnetarë të Universitetit të cilët kanë dhënë ndihmën e tyre.

Bashkëpunimi me Unviversitetin “Ismail Qemali” Vlorë ka një rëndësi të madhe, pasi është një intitucion i konsoliduar me nje staf profesional dhe studente te talentuar. Për këto arsye ndërgjegjësimi i studentëve për çështjet mjedisore dhe të qeverisjes së mirë ndikon për konsolidimin edhe të institucioneve publike demokratike, pjesë e të cilave do të jenë në të ardhmen studentët e sotëm.