Riciklimi! Një sfidë që fillon me edukimin e të rinjve.
Projekt i financuar nga REC Albania ne kuadër të programit SENiOR-A, Grante Operacionale.
Mbrojtja e mjedisit është një term shumë i gjerë dhe shpesh herë shumë i vështrirë për t’u zbërthyer. Duke u munduar të bëjmë gjëra shumë të mëdha në dukje, harrojmë të merremi me gjëra të thjeshta, të vogla, por konkrete e praktike, si dhe shumë të domosdoshme e të rëndësishme për të ardhmen. Mungesa e kapaciteteve të njësive vendore për menaxhimin e integruar të mbetjeve urbane, dhe mungesa e strategjive përkatëse, duhet parë jo vetëm si një e metë e tyre, por edhe si një mundësi e shoqërisë civile dhe organizatave për të mundësuar realizimin e disa iniciativave konkrete që mund të zbatohen në të mirë të mjedisit dhe qytetarëve, në bashkëpunim të ngushtë midis të gjithë aktorëve, palëve dhe grupeve të interesit.
Ekonomia e tregut ka bërë të mundur që shumë inisiativa private të lulëzojnë edhe në fushën e riciklimit, megjithatë, kultura jonë si qytetar për ta ndarë mbetjet që mund te riciklohet sipas kategorisë përaktëse mungon. Kjo ndoshta edhe për shkaqë që varen nga vendim-marrësit, si mungesa e kazanëve përkatës për çdo mbetje që mund të riciklohet apo edhe për mungesë të një plani ndërgjegjësimi nga shumë aktorë.
Ky projekt synon që duke harmonizuar; një proçes trajnimesh për rëndësinë dhe avantazhet e riciklimit; zbatimin konkret të ndarjes së mbetjeve në kazane të ndryshëm qysh në shkolla; nxitjen e konkurencës ndërmjet shkollave të ndryshme duke organizuar konkurse për sasinë e grumbulluar e përkthyer kjo në shpërblime simbolike, si, mbjellje pemësh apo stola në oborr me anë të të ardhurave të grumbulluara, të krijojë një model të ri dhe kulturë të re tek të rinjtë në veçanti dhe tek gjithë qytetarët dhe vendim-marrësit në përgjithësi.
Pasqyrimi i aktiviteteve dhe i nismës në median lokale dhe në rrjetet sociale do të nxisë shkolla të tjera për t’iu bashkangjitur iniciativës dhe do nxisë pushtetin lokal ta shtrijë një nismë të tillë edhe në lagje të ndryshme të qytetit Himarë.