Shebim i Emergjencave Civile ne Republiken e Shqiperise

Pak histori për zhvillimet e Mbrojtjes Civile në Shqipëri.
Fusha e Mbrojtjes Civile në Shqipëri është relativisht e re dhe në të shkuarën kryesisht ka shërbyer si një strukturë ushtarake. Megjithëse edhe më herët ka pasur problematikë dhe sigurisht njerëz që merreshin me mbrojtjen civile, por e mbështetur mbi baza ligjore, ky shërbim për herë të parë është formalizuar me dekret te Kuvendit Popullor Nr. 3924, dt. 07.12.1964, i cili e vendoste Shërbimin e Mbrojtjes Civile, në varësi të Ministrisë së Brendshme. Më vonë, drejtimi në nivel qendror i këtij shërbimi kaloi në Këshillin e Ministrave e më pas në Ministrinë e Mbrojtjes, në Ministrinë e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit dhe sot në Ministrinë e Brendshme

Zhvillimet e viteve të fundit.
Në vitet e fundit, Mbrojtja Civile në Shqipëri është rinovuar në koncept, strukturë dhe detyra, duke u përafruar me strukturat e vendeve të tjera në funksion të planifikimit, koordinimit dhe menaxhimit sa më të mirë të emergjencave civile. Kriza e vitit 1998-1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë shërbeu si një shembull i mirë, ku u ndërthurën shumë faktorë, duke përfshirë planifikimin e emergjencave, mbrojtjen civile dhe menaxhimin e krizës. Siguria e qytetarëve, e pronës, e mjedisit dhe e vlerave kulturore merr rëndësi të veçantë edhe për shkak të kërcënimeve të rreziqeve, që janë rezultat i prodhimit, përdorimit dhe ruajtjes së materialeve të rrezikshme, si dhe aktiviteteve
kriminale e terroriste, që mund të kërcënojnë jetën e komunitetit. Në mbështetje të neneve 78, 83, pikat 1, 170 dhe 174 të Kushtetutës, me propozim të Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi Ligjin Nr. 8756, datë 26.03.2001 “Për emergjencat Civile”. Ky është ligji i parë në historinë e legjislacionit shqiptar, i përmbledhur dhe i pavarur në këtë fushë. Gjatë viteve të fundit janë bërë përparime në kompletimin e bazës ligjore, planifikimit në të gjitha nivelet, ngritjes së strukturave si dhe ngritjes tekniko-profesionale të personelit të Shërbimit të Emergjencave.