Cdo mbetje merr hak per papergjegjshmerine tone!

1 milionë zogj deti dhe 100.000 gjitarë vdesin çdo vit nga mbetjet plastike!

Vullnetarë të Qendrës së Informacionit AARHUS – Vlorë, u angazhuan sot përgjatë vijës bregdetare në plazhin e ri, për të pastruar mbetjet urbane të grumbulluara aty si pasojë e erërave detare. Këto mbetje janë pasojë e papërgjegjshmërisë tonë si qytetarë, pasi ato janë grumbulluar këtu në plazhin e ri, por zanafilla e këtyre mbetjeve është shumë larg nga këtu, por edhe afër. Çdo njëri nga ne, pa u menduar gjatë i flakim mbetjet që ne prodhojmë, në natyrë, në përrenj, në pyll, në lum, në anë të rrugës, e mendojmë se në këtë mënyrë askush nuk na ka parë e se i kemi larguar nga territori ku ne banojmë. 
Në të vërtetë, këto veprime aspak të hijshme dhe qytetare, na vihen kundra nesh në një formë shumë të dëmshme për shëndetin tonë. Çdo mbetje, qoftë plastike apo tjetër, na kthehet përsëri në trupin tonë duke rrezikuar seriozisht shëndetin e gjithsecilit nga ne. 
Plastika prsh, është shumë e rrezikshme, nëse flaket në natyrë pasi ajo futet në mënyrë të paevituesmë, në zinxhirin ushqimor të njeriut nëpërmjet, konsumimit nga kafshët, shpendët, ujit dhe ajrit. 
Por edhe nëse ajo do të shpërbëhet, përsëri ajo na kthehet në trupin tonë pasi:
- Nëse ne e djegim plastika lëshon substanca kimike potencialisht të rrezikshme që dëmtojnë sistemin e frymëmarrjes; 
- Nëse e flakim në natyrë, shiu i parë e merr me vete dhe nga përroi e çon në lumë e nga lumi në det. Plastika përmban polietilen dhe bisfenol, dhe peshku e ka shumë qejf plastikën. Duke e konsumuar peshku plastikën, bisfenoli, depozitohet në indet e tij dhe kur ne e konsumojmë peshkun, edhe pse mendojmë se është i freskët, ne kemi depozituar në trupin tonë një sasi të konsiderueshme bisfenoli, një kimikat tejet i rrezikshëm për shumë e shumë sëmundje që janë përhapur sot, përfshirë edhe fertilitetin;
- Nëse groposet në tokë, lëshon substanca kimike helmuese që nëpërmjet burimeve ujore e prodhimeve bujqësore kthehen përsëri në trupin tonë.
Prandaj, është domosdoshmëri që Qytetarët të ndërgjegjësohen e të kenë të qartë, që vetë ata po kontribuojnë në radhë të parë për dëmtimin e rëndë të shëndetit të tyre, po helmojnë mjedisin, ushqimet, ajrin dhe ujin duke flakur në natyrë mbetjet.
Është koha që të gjithë së bashku, në mënyrë të organizuar, duke filluar qysh nga mësuesit, zyrtarët publikë e përfaqësuesit e shoqërisë civile, të bashkërendojmë energjitë dhe koordinojmë veprimet, për të filluar me sensibilizimin e të gjithë brezave, që nga fëmijët në kopsht, shkollë dhe universitet e deri tek banorët, për manaxhimin e mbetjeve urbane, për të nxitur riciklimin, për të nxitur kompostimin dhe ripërdorimin e mbetjeve me qëllim minizimizin e rreziqeve, reduktimin e epidemive dhe sëmundjeve dhe shmangien e degradimit të ambientit.
Falenderojmë Bashkinë Vlorë, shkollën “Mustafa Qemal Ataturk” dhe EMMAUS Vlorë për bashkëpunimin e sotëm dhe përcjelljen e mesazhit sensibilizues për gjithë komunitetin.