Ndarja e diferencuar dhe riciklimi - krijimi i një modeli te mirë

Aktivitetet e realizuara gjatë fazës së parë të projektit: “Ndarja e diferencuar dhe riciklimi - krijimi i një modeli te mirë”, projekt i realizuar fal mbështetjes dhe financimit të REC-Albania, programi SENiOR-A.
1. Sesion ndërgjegjësimi me nxënës të shkollës së 9-vjeçare Himarë
Në këtë aktivitet morrën pjesë përfaqësues të Bashkisë Himarë, nxënës dhe mësues të shkollës 9-vjeçare të Himarës. Sesioni i ndërgjegjësimit u organizua në formën e diskutimit me nxënësit për rëndësinë e ndarjes së diferencuar, riciklimit dhe rolit që duhet dhe mund të luajnë nxënësit për realizimin me sukses të ndarjes së diferencuar dhe riciklimit. Gjatë aktvitetit pjesëmarrësit u informuan mbi benefitet që ndarja e diferencuar e pasuar nga riciklimi ka për mjedisin dhe për mbarë komunitetin.
2. Takim ndërgjegjësues me nxënësit e shkollës 9-vjeçare Dhërmi
Në këtë aktivitet morrën pjesë nxënës dhe mësues të shkollës 9-vjeçare Dhërmi. Objektivi kryesor ishte ndërgjegjësimi i nxënësve për rëndësinë e ndarjes së diferencuar, riciklimit dhe rolit që duhet dhe mund të luajnë nxënësit për realizimin me sukses të ndarjes së diferencuar dhe riciklimit. Nxënësit shprehën gatishmëri për ta përçuar informacionin edhe te familjet dhe te personat të cilët jetonin rreth tyre për të bërë të mundur që edhe komuniteti të bëjë diçka për të ulur mbetjet në fshatin e Dhërmiut.
3. Tryezë e rrumbullakët me aktorë lokal vendim-marrës dhe shoqërinë civile
Në këtë aktivitet morrën pjesë, përfaqësues të Bashkisë Himarë, nxënës dhe mësues të shkollës së Mesme Himarë, ambientlistë, përfaqësues të biznesit lokal dhe shoqërisë civile të cilët u njohën me qëllimin e aktivitetit dhe u prezantuan me projektin.
Gjatë këtij takimi u diskutua gjerësisht mbi problematikën e mbetjeve urbane, ku u theksua se për Bashkinë Himarë ishte e rëndësishme sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi i biznesit privat për të mundësuar ndarjen qysh në burim të mbetjeve në restorante dhe hotele gjatë sezonit veror. Ideja e riciklimit të mbetjeve ishte me shumë interes dhe në favor të mjedisit për të gjithë pjesëmarrësit në këtë aktivitet.
Në fund u diskutua për hartimin e një plani të përbashkët nga ana e shkollës, Bashkisë Himarë dhe AIC Vlorë për mbarëvajtjen e projektit dhe të aktiviteteve në vazhdim.